×

Dikur ilegal i Prishtinës, tash e ka pasion kuzhinën

28.01.2016 ·



Ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), nga viti 1993. E sot udhëheqë Ministrinë e Diasporës. Është ky Valon Murati, ministri që rrugëve të Prishtinës ecë i vetëm. Nuk dëshiron që rreth vetes të ketë truproja, pasi që ndjehet i lirë në qytetin e tij. I lindur e i rritur në Prishtinë, Valoni në një intervistë më ndryshe, për kolona.al, pa pyetje të gjata e me përgjigje të shkurtra, rrëfen për dashurinë që ka për Prishtinën, familjen, pasionin për kuzhinën, e shumëçka tjetër…

Autore: Lindita Canolli

Familja

Familja ime e ngushtë përbëhet prej bashkëshortes Norës, vajzave të mia Olsa dhe Anda, dy prindërve, vëllait Fitori dhe motrës Vlora.

Babai

Një person shumë i rëndësishëm në jetë.

Nëna

Një lidhje më e veçantë me nënën. Për shkak të obligimeve të mia shumë herë kam munguar në familje. Si pasojë e kësaj mund të merret me mend mërzia që mund ta ketë një nënë. Kjo për shkak të luftës, angazhimet e mia…

Bashkëshortja

Bashkëshortja ime Nora Bakalli është mbështetje e madhe për mua!

Fëmijët

Vajzat Olsa vijon mësimet në klasën e gjashtë dhe Anda në klasën e katërt. Jam shumë i lidhur me vajzat. Merremi shumë me to që kur të rriten të jemi krenare me to.

Prishtina

Më lidh gjithçka me Prishtinën. Kam lindur këtu, kam kaluar tërë kohën këtu…Prishtinën nuk e kam lëshuar asnjëherë sepse jam shumë i lidhur me këtë vend. Kam lindur në lagjen Dardania, jam rritur në Bregun e Diellit, jam shkolluar në Kodrën e Trimave, pra kuptohet gjatë kohës së luftës në shtëpi private.

Ju veçon?

Toleranca, besimi. Thjeshtë tentoj ta mbaj shoqërinë, t’i ruaj njerëzit.

Diaspora

Diaspora? Një aset i jashtëzakonshëm, një nder që më ka ra të punojë në pozicion të përgjegjësisë publike. Një aset i jashtëzakonshëm që ka kontribuar shumë për vendin, vazhdon të kontribuojë si në planin politik por edhe socio ekonomik.

Kosova për Diasporën

Besoj se e kemi për obligim si vend të gjemë rrugët më të mira që këtë komunikim të vazhdojmë ta mbajmë ta fuqizojmë me diasporën, në mënyrë që të dy palët të fitojnë atë çka është më e mira dhe ta fuqizojmë këtë shtet që është edhe përpjekje për krejt diasporën e Kosovës.

Sporti

Jam marr me karate. Madje i takoj një familje që është pionier në karate. Por atë ciklin që të jem aktiv e kam përfunduar qysh në klasën e tetë. Kjo pasi që kam pasur angazhime tjera që më kanë detyruar të ndahem nga ky sport.

Ndonjë sport tjetër

Realisht sportet i shikoj të gjitha, i kam në qejf. Por normalisht futbollin e shikoj shumë. Kam shikuar futboll qysh në klasën e tretë bashkë me babanë. Vazhdojë ta përcjelli futbollin me shumë qejf. Përveç që bëjë tifo për Kombëtaren tonë, jam tifoz i flaktë edhe i Barcelonës.

Skijimi

Është diçka e re për mua, familjen time. Këto dy-tre vitet e fundit e kam shijuar si sport. Bashkë edhe me gruan po konsiderojmë se duhet t’i mësojmë fëmijët më shumë skijimin.

Kuzhina

E kam një pasion për ushqimin. Bile nuk përtoj fare edhe vet të përgatis. Krejt burrat tek unë në shtëpi e kanë këtë talent.

Më të preferuarat

Pitet, flija mbesin në atë menynë time që i dëshirojmë herë pas here.

Pjata e preferuar

Një peshk i egër, një levrek por ama i përgatitur mirë (qesh).

Besimi

Sa i përket aspektit fetar nuk është se jam tipik fetar, por e theksoj se i takoj komunitetit për të drejtat e njeriut. Të drejtën e besimit dhe mos besimit i konsideroj të rëndësishme për të pasur një shoqëri tolerante, ku gjithkush ka dëshirë ta ushtroj atë.

Filmat

Shikoj shumë. Nuk e di, qëndroj midis dramës që kanë një histori bazuar në ngjarje të vërteta, situatë familjare, luftës për liri. Por them se shikoj filmat të të gjitha zhanreve. Varet nga disponimi. Mbetem një adhurues i filmit “The Gadfather”. “The Godfather” një dhe dy, për mua mbeten kryeveprat e kinematografisë.

Librat

Jam rritur me librat dhe vazhdoj të jem në mesin e tyre. Librat e Ismail Kadaresë i kam lexuar shumë dhe mbetet i preferuari im, pasuar nga Agolli. Ndërsa nga të huajt është vështirë të përzgjedh. Dostojevskin, Tolstoin, Balzakun, Umberton,Viktor Hygo. Jam një pasionant i letërsisë. Letërsia mendoj është një mësuese e jetës, sepse ka histori, ekonomi, pushtimet etj.

Mbrëmjet

Kryesisht i kalojmë në shtëpi, të jemi me familjen, me vajzat që kanë mësime. S’kemi shumë kohë të dalim. Duhet të jem pak më shumë prezent në shtëpi.

/Kolona.al/