Të nderuar bashkëkombës!
Si çdo vit tjetër, edhe këtë nëntor populli shqiptar feston datën më të rëndësishme të historisë së vet. 28 Nëntori na mundëson të reflektojmë mbi të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, por edhe të gjejmë frymëzim e optimizëm për një të nesërme më shpresëdhënëse.
Prandaj përkundër sfidave, ta shfrytëzojmë këtë festë si frymëzim për shfrytëzimin e potencialeve tona që mund ta ngjallin shpresën, ashtu siç bënë etërit themelues të shtetit shqiptar atë ditë në Vlorë, në rrethana pakrahasimisht më të rënda se sot.
Lëvizja për Bashkim do të vazhdoj të punojë që ta kthejë frymëzimin dhe optimizmin në shpirtin e shqiptarit me angazhimin e saj, për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarit tonë dhe për nxitjen e proceseve integruese në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në çdo pore të jetës. Lëvizja për Bashkim nuk do të ndalet deri sa programi i saj për mirëqenie ekonomike e bashkim kombëtar të institucionalizohet e jetësohet deri në fund
Me këtë rast, duke ua uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, në emrin tim personal dhe në emër të Lëvizjes për Bashkim u bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë për dashuri, tolerancë, harmoni dhe unitet midis nesh në rrugën tonë të madhe drejt realizimit të qëllimit madhor.
Valon Murati
Kryetar i Lëvizjes për Bashkim
Prishtinë, 27.11.2016