Të dashur besimtarë,
Sot është dita e fundit e një muaji përplot me lutje, mëshirë, bamirësi, sakrificë e përpjekje për t’i rifreskuar raportet me Zotin dhe të afërmit tuaj. Përkundër ditëve të gjata e të nxehta, ju ia dolët që ta përfundoni këtë muaj faqebardhë. Një prej mësimeve që mund të nxjerrim të gjithë ne nga raste të tilla është se përkundër vështirësive të mëdha që mund të na dalin përpara në rrugën tonë, përkushtimi dhe dashuria e bëjnë të realizueshëm çdo ëndërr dhe qëllim që kemi.
Nesër është dita e kremtimit të përmbylljes me sukses edhe të këtij misioni për të gjithë besimtarët islam. Unë dua t’ua dërgoj secilit prej jush urimet më të ngrohta të mia dhe të familjes sime, përmes një mesazhi që reflekton një prej qëllimeve të agjërimit – paqja, mëshira dhe dashuria mbizotëroftë mbi ju dhe familjet tuaja!
Me fat Fitër Bajrami!
Valon Murati,
Kryetar i Lëvizjes për Bashkim