×

​Për një dialog të mirëfilltë ndërshqiptar

09.12.2015 ·



Kriza politike në Kosovë as nuk është e papritur, as nuk duhet ta habisë askënd! Që nga shpallja e pavarësisë, me të gjitha kufizimet, kushtëzimet e mbikëqyrjen e saj, Lëvizja për Bashkim ka paralajmëruar se Kosova do të shndërrohet në një shtet jofunksional. Të gjitha partitë politike pa asnjë përjashtim e kanë injoruar këtë fakt dhe këtë thirrje, duke u pozicionuar kështu në pozita ekstreme. Në njërën anë tri subjekte që pranojnë të shkojnë në bisedime krejtësisht të papërgatitura, kurse në anën tjetër një subjekt që i refuzon kategorikisht bisedimet. Prandaj e kemi një gjendje të tillë çfarë e kemi sot! Dhe do ta kemi edhe më të rëndë nëse vazhdojmë që interesin partiak e personal ta vendosim përmbi atë shtetëror e kombëtar!

Për të dalë nga kjo situatë duhet që të gjitha partitë të reflektojnë thellë! Duhet t’i lënë anash interesat partiake e t’u kthehen interesave kombëtare e shtetërore!

PDK, LDK, AAK e NISMA nuk duhet të mjaftohen me tërheqjen nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe! Ato, për hir të interesit shtetëror, duhet të reflektojnë shumë më thellë! Ato duhet ta rishqyrtojnë në tërësi qëndrimin e tyre ndaj bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të mos vazhdojmë të kemi marrëveshje të këqija!

LVV, për hir të interesit kombëtar e shtetëror, duhet të zhbarikadohet nga qëndrimet ekstremiste e refuzuese ndaj bisedimeve për zgjidhjen e problemeve të mbetura me Serbinë, qëndrime të cilat

i kanë ndihmuar shumë PDK-së, LDK-së e AAK-së për të na i sjellë këto marrëveshje kaq të dëmshme për Kosovën e mbarë kombin shqiptar!

Ende ka kohë! Ende ka mundësi! As anulimi i marrëveshjeve, as referendumi, e as zgjedhjet e reja, me qasje të vjetra, nuk do të prodhojnë rezultate më të mira! Nga kjo krizë, si dhe nga ato që na presin në të ardhmen, mund të dalim vetëm nëse ulemi i gjithë faktori politik shqiptar i Kosovës, bashkë me faktorin politik të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës e ta trajtojmë çështjen me seriozitetin që kërkon dhe si rezultat i kësaj dalim me një platformë të qartë politike për mbrojtjen e interesave kombëtare. Kjo është rruga e vetme! Çdo qasje tjetër nënkupton menaxhim të pasojave, e jo eliminim të shkaqeve. Në këtë mënyrë, këto dëme dhe pasoja mund të jenë afatgjata, madje edhe të pariparueshme!

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 9.12.2015