×

​Fajtore edhe Qeveria, edhe opozita

11.12.2015 ·



Situata në Kosovë është pa dyshim shumë e rëndë. Përplasja e qeverisë me opozitën ka shkuar larg dhe pothuajse ka paralizuar jetën institucionale në Kosovë. Pasojat e kësaj paralize do të jenë të shumta dhe afatgjata. Më e keqja është se nuk shihet fundi e as rrugëdalja! Është dukshëm e qartë se asnjëra palë nuk ka vizion të qartë e publik për dalje nga kjo krizë!

Qeveria nuk jep shenja për lëshime në çështjen më të rëndë, atë të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ajo mjaftohet me frikësimin e opinionit publik se me anulimin e marrëveshjes Kosova do të përballet me izolim ndërkombëtar.

Opozita nuk ka vizion se çka dhe si të veprohet pas një anulimi të mundshëm të kësaj marrëveshjeje. Krejt koncepti i saj thjeshtëzohet vetëm në kundërshtimin e tyre! Opozita madje nuk ka as qëndrim unik lidhur me këto çështje! Krejt kjo ndodh për shkak të mungesës së një platforme të përbashkët për bisedimet me Serbinë.

Mjetet represive të Qeverisë, edhe pse të ligjshme, dhe mjetet e dhunshme të paligjshme të opozitës, mund t’i shërbejnë njërës palë për ta mposhtur palën tjetër, por ato nuk zgjidhin asgjë!

Zgjidhja më e mirë do të ishte që krejt spektri politik shqiptar i Kosovës, bashkë me përfaqësues të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, pas një debati shterues, ta nxirrnin një platformë të përbashkët për bisedimet me Serbinë. Në qoftë se (dhe ashtu duket) partitë në pozitë nuk janë të interesuara për një platformë të përbashkët dhe mjaftohen me mekanizmat institucionalë e represivë për tejkalimin e situatës, atëherë u takon partive në opozitë ta hartojnë një platformë të tillë, me një vizion të qartë dhe të dalin me të para qytetarëve, në mënyrë që ata të sqarohen për hapat e tjerë të Kosovës.

Lëvizja për Bashkim është e gatshme që të jap kontributin e saj në këtë drejtim. Madje, ajo me kohë ka hartuar një platformë të tillë për bisedimet me Serbinë, e cila si shtyllë kryesore të bisedimeve ka parimin e reciprocitetit në raportet me Serbinë, si zgjidhja më e mirë dhe e pranueshme edhe ndërkombëtarisht.

Mungesa e një platforme të përbashkët e partive politike për bisedimet me Serbinë është shkaku kryesor i kësaj krize. Vazhdimi i mungesës së një platforme të tillë do të thotë vazhdim dhe thellim i krizës!

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 11.12.2015