×

​Nënçmimi i vetëdijes së deputetëve

11.05.2012 · Aurora Bakalli



Praktika e shpeshtë e kthimit në rivotim të vendimeve të Kuvendit është nënçmim i madh për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në veçanti për deputetët e tij. Duke u thirrur në çështjen se “deputetët nuk kanë ditur se çfarë kanë votuar”, deputeti vihet në pozitë të personit të paditur dhe sidomos për faktin që kjo dukuri po përsëritet mjaft shpesh. Prandaj edhe nuk duhet habitur se në popullatë po fitohet përshtypja se deputetët janë të padijshëm. Ndërkaq, përshtypja ime nga brenda është se deputetët janë edhe të dijshëm edhe të vetëdijshëm, prandaj edhe konsideroj se me vetëdije të plotë votuan mocionin e interpelancës lidhur me personat e pagjetur. Si pozitë ashtu edhe opozitë, të gjithë njëzëri, shprehën bindjet e tyre se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet sa më parë. Rrjedhimisht, kushtëzimi në dialogun me Serbinë është një nga mekanizmat e parapara për t’u zgjidhur kjo çështje e dhimbshme, për të cilën votuan me vullnet shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Për Qeverinë kjo zgjedhje e deputetëve mund të jetë politikisht jokorrekte, veçanërisht karshi faktorit ndërkombëtar.

Ndërkohë që Qeveria duhet të jetë e vëmendshme në ndjekjen e konceptit të vet politik dhe këshillat e sugjerimet e tyre t’iu japin me kohë deputetëve të pozitës, e jo kur të shohin se nuk iu kanë dalë “hesapet” si duhet ta hedhin në vazhdimësi topin e injorancës në terren të Kuvendit. Kjo sjellje është thjesht fyerje e inteligjencës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe si e tillë është e patolerueshme.

Prishtinë,

11.5.2012