×

​Sharjet, fyerjet e grushtet nuk duhet të jenë kultura jonë!

29.09.2017 ·



Ka kohë që e gjithë skena jonë politike është mbushur me sharje, fyerje e akuza kuturu e pa asnjë mbulesë. Është bërë e zakonshme deri në mburrje kur dikujt i themi fjalë të rënda e fyese, madje ato bëhen zakonisht titujt bombastikë të mediave tona. Ky lloj diskursi sot degradoi edhe në përleshje fizike, për të cilën as që duhet ta marrim mundin e ta diskutojmë për fajtorin a për fituesin e humbësin. Fajtorë e humbës jemi të gjithë! Që nga liderët e partive politike, e deri te mediat! Liderëve po u duhet një gjuhë e sjellje e tillë për të dalë në sipërfaqe, ndërsa mediave po u duhen lajme të tilla skandaloze për përfitime e klikime! Të parët po i mbajnë në gjirin e tyre e po i yshtin këta “militantë”, e të dytët po i shfrytëzojnë për përfitime materiale!

Është koha e fundit që kësaj forme të debatit të gjithë t’i themi: mjaft!

Është koha e fundit që organet kompetente të ndërmarrin masa të ashpra ndaj kësaj gjuhe e këtij diskursi deri në përleshje fizike!

Është koha e fundit që njerëzit me këtë lloj gjuhe e mentaliteti t’i largojmë nga shoqëria jonë, nga familjet tona, nga partia jonë, nga studiot televizive, nga gazetat e portalet!

Të gjithë duhet të kontribuojmë për zhdukjen e kësaj dukurie! Të gjithë duhet të angazhohemi për një debat të mirëfilltë edhe në familjet tona, edhe në rrugë, edhe në Kuvend e edhe në studiot televizive!

Prishtinë, 29.9.2017

Lëvizja për Bashkim