12.10.2016 · Avni Klinaku
Që nga paslufta e këtej e veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në opinionin shqiptar ka pasur përpjekje të herëpashershme për të ngjallur një debat (armiqësor) në mes të “kosovarëve” dhe shqiptarëve. Një përpjekje e tillë është ringjallur edhe këtyre ditëve, por interesimi dhe përfshirja e publikut është shumë më e vogël sesa kanë pritur nxitësit e këtij debati. Dhe është kështu sepse:
1) Një debat i tillë është ARTIFICIAL! Është artificial sepse nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ekziston akoma kombi kosovarë në mënyrë që të përballet apo të hyjë në relacione me kombet e tjerat, pra edhe me shqiptarët. Po them “akoma” sepse ka njerëz që mendojnë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është hapë mundësia e krijimit të kombit kosovar. “Kombi kosovar” as nuk ekziston në realitet e as në dokumentet juridike të Kosovës. Mirë apo keq, në kushtetutën e Kosovës shkruan: “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera”, pra nuk ekziston kategoria kushtetuese “kosovarë” as si komunitet. Kështu që edhe debati kosovarë-shqiptarë është krejt artificial dhe nxitet nga dashakëqijtë e shqiptarëve!
2) Një debat i tillë është ANAKRONIK! Është anakronik sepse shqiptarët, si ata të Republikës së Shqipërisë, si ata të Republikës së Kosovës, si ata që kanë mbetur nën Serbi, Maqedoni e Mal të Zi kanë përpara sfida të shumta si politike, ekonomike e pothuajse edhe ekzistenciale, prandaj është e papranueshme që në këtë kohë e në këto rrethana ta nxisim një sfidë të re ose “krizën e identitetit kombëtar”. Kriza e identitetit te shqiptarët nuk ekziston!
3) Një debat i tillë është I DËMSHËM! Shpenzimi i energjive dhe futja e armiqësive brendapërbrenda shqiptarëve në kohën e veprimeve armiqësore të shovinizmit serb e maqedonas dhe gjendjes së rëndë të shqiptarëve të pakmbetur në Mal të Zi, në kohën e krizës së rëndë politike e ekonomike të shqiptarëve kudo që jetojnë, pra nxitja e debatit të rrejshëm për identitet kombëtar paraqet dëm të madh dhe çorientim të plotë të skenës politike shqiptare!
Shqiptarët, si ata të Republikës së Shqipërisë, si ata të Republikës së Kosovës, si ata të Maqedonisë, si ata të Malit të Zi, si ata të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe kudo qofshin në botë edhe përkundër përpjekjeve të të huajve gjatë historisë as nuk u shndërruan në turq, jugosllavë e “myslimanë” dhe as nuk pranuan ndryshimet e simboleve kombëtare. Këtu nuk çka të debatohet! Kemi qenë dhe mbesim shqiptarë, pavarësisht se ku jetojmë.
Ashtu siç nuk na thyen e asimiluan pushtimet e gjata, poashtu edhe projektet e ndryshme politike dhe kompromiset me faktorët ndërkombëtar nuk duhet të na çorientojnë e dobësojnë! Ato duhet të na bashkojnë e mobilizojnë!