×

Kundër dhunës – për maturi e bashkëpunim

01.11.2011 ·



Qytetarë të Republikës së Kosovës!

Përplasjet deri në armiqësi e forcave politike që veprojnë në Kosovë, lufta e egër për të ardhur në pushtet apo për ta ruajtur me çdo kusht atë, e përcjellë me fyerje, denigrime e shpifje ndaj njëra-tjetrës, kanë sjellë deri te një situatë e tensionuar në mes të qytetarëve, situatë e cila është e dëmshme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar.

Kjo situatë konfliktuoze ka gjasa të radikalizohet më 14 janar, ditën kur Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë që t’i bllokojë dy pikat kufitare: në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë.

Thirrja për të vendosur kontroll në pikat kufitare nuk është thirrje për shprehje të pakënaqësisë, nuk është thirrje për protestë apo për demonstratë, që do të ishte një e drejtë demokratike dhe kushtetuese, por është thirrje për marrjen nën kontroll të segmenteve të caktuara të shtetit nga ana e një subjekti politik, që do të paraqiste fillimin e një anarkie totale në Kosovë.

Fshehja prapa vendimeve të Kuvendit, prapa reciprocitetit apo bllokimit të mallrave serbe, nuk i arsyeton pasojat e rënda që do t’i ketë Kosova nga veprimet apo metodat e tilla anarkiste.

Lëvizja për Bashkim është për fuqizim të rolit të Kuvendit në raport me qeverinë, si një tregues i rëndësishëm i demokratizimit të vendit; është edhe për reciprocitet të mirëfilltë ndërmjet shteteve, gjithnjë përderisa ai reciprocitet është në përputhje me interesin kombëtar të mbarë popullit shqiptar; Lëvizja për Bashkim është gjithashtu edhe për fuqizimin e prodhimit vendor, por gjithmonë përmes politikave ekonomike dhe fiskale të ndërtuara nga institucionet legale, politika të cilat duhet të jenë gjithmonë në funksion të aspiratave të popullit shqiptar për integrime kombëtare e evropiane, deri në bashkimin e plotë kombëtar të popullit shqiptar. Por Lëvizja për Bashkim është kategorikisht kundër veprimeve që çojnë në drejtim të rritjes së acarimit të raporteve në mes partive në skenën e brendshme politike të vendit, është kategorikisht kundër garës për rritjen e ndikimit politik përmes veprimeve të tilla, si ky për synimin e bllokimit të pikëkalimeve kufitare, ku rreziku për eskalim të situatës deri në përplasje të dhunshme, e mbase edhe në gjakderdhje, është tejet i lartë.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në veprimet e tyre në radhë të parë ta kenë interesin e përgjithshëm e jo atë individual, grupor apo partiak, ndërsa subjektet politike i fton që, kur është në pyetje interesi shtetëror dhe kombëtar, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Për ditët në vazhdim, Lëvizja për Bashkim i fton qytetarët që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos lejojnë të keqpërdoren e të bien pre e atyre që marrjen apo ruajtjen e pushtetit e kanë synim të vetëm, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguajnë qytetarët.

LËVIZJA PËR BASHKIM

Prishtinë, 11.1.2012