×

​Në mocionet e korridoreve - as interesa shtetërore e as interesa kombëtare

21.01.2012 ·



Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë, që nga miratimi i mocionit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e deri te kundër-mocioni i propozuar nga PDK-ja, nuk kanë të bëjnë as me interesat shtetërore të Kosovës, as me interesat kombëtare të popullit shqiptar.

Përplasja e skajshme midis dy partive politike - PDK e LVV - deri në armiqësim të qytetarëve dhe sakrifikim të tyre për interesa të ngushta, e kanë tensionuar shumë gjendjen politike në Kosovë, si dhe e kanë zhvendosur vëmendjen e të gjithëve nga problemet reale që Kosova i ka me Serbinë.

Të dyja mocionet kanë qenë mocione të pastudiuara, të padiskutuara, të padebatuara dhe të paharmonizuara nga subjektet politike në vend. Ato kanë qenë realisht mocione të shkruara në korridoret e Kuvendit.

Në rastin e parë, në mocionin e LVV-së, fillimisht ka qenë i paraparë vetëm reciprociteti tregtar me Serbinë deri në njohje të Kosovës (!). Pas përfundimit të debatit, për votim është propozuar një mocion krejt tjetër, ku ishte përfshirë edhe një çështje shumë e rëndësishme si reciprociteti politik, e që kishte ardhur si pasojë e një konsultimi të shpejtë e të shkurtër midis LVV-së, LDK-së e AAK-së, pa një debat serioz paraprak. Për këtë mocion, duke e konsideruar të papërgatitur dhe të paharmonizuar substancialisht, Lëvizja për Bashkim kishte abstenuar.

Në rastin e dytë, në mocionin e PDK-së, që qëllimin e vetëm e kishte rrëzimin e mocionit të mëhershëm, fillimisht ishte një mocion për reciprocitet, e pastaj deputetët votuan për dialogun teknik me Serbinë dhe për “ratifikim” të marrëveshjeve me Serbinë (!). Lëvizja për Bashkim votoi kundër këtij mocioni dhe kundër manipulimit të tillë me Kuvendin.

Në asnjërën nga këto dy mocionet e korridoreve nuk pasqyrohen realisht problemet që Kosova i ka me Serbinë. Problemet e ngutshme që kërkojnë trajtim e zgjidhje të shpejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë janë veriu i Kosovës dhe Kosova Lindore.

Lëvizja për Bashkim i fton të gjitha forcat politike në Kosovë që kur janë në pyetje interesat kombëtare t’i lënë anash interesat partiake dhe sa më shpejt që është e mundur ta fillojnë komunikimin në mes vete. Si rezultat i komunikimit dhe i debateve të mirëfillta politike, të harmonizohen edhe qëndrimet për çështjet kryesore të shtetit dhe të kombit.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë

21.1.2012