×

Ngjarjet në Preshevë

29.12.2008 ·



Demonstrimi i terrorit millosheviqian i shfaqur këto ditë me tërë brutalitetin e vet mbi vëllezërit tanë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, sikur i habiti më së shumti ata që është dashur t’i habisë më së paku.

Presheva, Bujanoci e Medvegja në krejt periudhën e pasluftës jetojnë pothuajse në shtetrrethim, të militarizuara plotësisht dhe të kërcënuar vazhdimisht nga pushtuesi serb i këtyre vendbanimeve shqiptare.

Partitë politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, e pothuajse të gjithë faktorët relevantë politikë shqiptarë përballë kësaj gjendjeje të rëndë të popullit shqiptar në këto tri komuna janë sjellë me një moskokëçarje e dyfytyrësi të pajustifikueshme.

Reagimet që i dëgjojmë këtyre ditëve rreth arrestimeve e sjelljeve brutale të forcave speciale serbe mbi shqiptarët akoma bëhen mbi bazën e një politike të gabuar, e cila popullin shqiptar që jeton në trojet e veta stërgjyshore dhe me të gjitha karakteristikat e kombit e quan pakicë kombëtare dhe popullsisë së atjeshme i sugjeron përfshirjen në institucionet shtetërore serbe!

Rasti i arrestimeve të fundit dhe dhuna e ushtruar mbi familjarët e tyre do të duhej të na shërbente për një këndellje politike dhe për rishqyrtim të tërësishëm të politikës së deritanishme ndaj Serbisë, e sidomos për qasje e përkrahje krejt tjetër ndaj vëllezërve tanë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Prishtinë, 29 dhjetor 2008