×

​Politikë e gabuar, qeveri e paaftë!

24.02.2012 ·



Lëvizja për Bashkim vazhdimisht ka deklaruar se qasja e institucioneve të Kosovës për zgjidhjen e problemeve me Serbinë përmes bisedimeve teknike është plotësisht e gabuar dhe me pasoja për vendin. Përmes kësaj qasjeje anashkalohen problemet reale që Kosova i ka me Serbinë duke prodhuar marrëveshje për çështje që janë vetëm pasoja të moszgjidhjes së problemit kryesor. Ne insistojmë që në vend të bisedimeve teknike dhe marrëveshjeve që ofrojnë pseudozgjidhje, Kosova duhet të përcaktohet për bisedime politike midis Kosovës e Serbisë në nivel shtetesh, me agjendë që ofrojnë zgjidhje të vërteta.

E keqja e këtyre bisedimeve dhe e marrëveshjeve që i prodhojnë ato bëhet edhe më e madhe kur kemi parasysh faktin se institucionet e Kosovës nuk po e konkretizojnë edhe atë që është e mundshme nga to. Marrëveshja e fundit për përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale, qoftë për shkak të neglizhencës, të paaftësisë, apo për shkak të moskokëçarjes për fatin e këtij vendi nga ana e Qeverisë së Kosovës doli shumë më e keqe se që ishin mundësitë!

Lëvizja për Bashkim shpreh bindjen se për aq kohë sa institucionet e vendit ta ndjekin këtë politikë, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e njëpasnjëshme që vijnë nga moszgjidhja e problemeve që Kosova vërtet i ka me Serbinë.

LËVIZJA PËR BASHKIM

Prishtinë,

24.2.2012