×

​Çfarë demokracie po instalojmë?

01.06.2008 · Valon Murati



  1. Se mënyra sesi u imponua e u miratua Pakoja e Ahtisaarit ishte jodemokratike, se fakti që ajo në vetvete përmbante shumë zgjidhje që janë në raporte problematike me konceptet bazë të demokracisë, të të drejtave qytetare si dhe atyre kombëtare, - ishin të qarta në fillim vetëm për një numër të vogël njerëzish. Ishte kështu për shkak se pas këtij procesi qëndronte një makineri e tërë politike e propagandistike e gatshme për të stigmatizuar edhe zërin më të butë kundërshtues, apo madje edhe vetëm dyshues, të këtij procesi. Sidoqoftë, si nëpër mjegull kishte depërtuar në opinion një fije dyshimi se në këtë fazë nuk do të kemi bash shumë sovranitet dhe bash nuk do ta ushtrojmë si duhet të drejtën e vetëvendosjes. Por këto mëdyshje mbyteshin nga euforia e përgjithshme, eufori e cila e krijoi botëkuptimin se këto ishin sakrificat që duhet bërë për pavarësinë. Duke qenë se në skenën tonë politike që nga viti 1989 u kultivua politika e improvizimeve e bazuar në formën pa përmbajtje, në shumicën e opinionit publik asnjëherë në mënyrë serioze nuk u vu në mëdyshje përmbajtja e kësaj pavarësie. Mirëpo çdo proces e ka një fund. Dhe këtij procesi të heshtjes e të trullosjes së përgjithshme nga dehja e pavarësisë i erdhi fundi për një çështje në dukje simbolike, por që ishte thelbësore jo vetëm për fyerjen e ndjenjave kombëtare që iu bënë shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës – shqiptarëve, por edhe për tërë rrugën e mbrapshtë në të cilën po na çon ky model i imponuar politik i vendimmarrjes. Ky model është duke e përjashtuar tërësisht qytetarin e Kosovës, është duke e përjashtuar popullin e saj në mënyrën më absurde. Ishte beteja për Ditën e Flamurit, ai sinjal që e zgjoi opinionin publik për të treguar se ky model i vendimmarrjes është shumë i dëmshëm për shëndetin e demokracisë në “shtetin më të ri në botë”. Nuk është fare e rëndësishme në këtë kontekst se kjo betejë u humb. E rëndësishme është se ndodhi kthjellja e parë. Rezistenca e parë. Dhe kjo kthjellje e rezistencë do të vazhdojë në muajt dhe vitet në vijim, gjatë procesit të implementimit në terren të decentralizimit dhe të ligjeve të tjera të Pakos së Ahtisaarit. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do ta luajnë edhe bllokadat që do t’iu bëhen institucioneve për shkak të modeleve ngulfatëse të instaluara në sistemin tonë nga Pakoja. Pra, si zakonisht, fundi i një procesi (të gjumit) nënkupton fillimin e një procesi të ri (zgjimit).
  1. Po thonë se duhet të jemi krenarë se në Kosovë është instaluar demokracia qytetare! Po thonë se duhet të jemi krenarë se Kosova është shembull i multietnicitetit, ku të gjitha etnitë janë të barabarta. Po thonë se decentralizimi është në përputhje me parimet e multietnicitetit dhe të mbrojtjes së pakicave në Evropë. Po mundohen këta apologjetë politikë e medialë të këtij modeli ta paraqesin veten “IN” me trendet moderne demokratike, globaliste, liberale etj. Po përpiqen të tillët që kundërshtarët e Pakos t’i stigmatizojnë si etno-centristë, nacionalistë romantikë, revolucionarë ekstremë, të humbur në kohë e hapësirë, e pse jo edhe fashistë. Po synojnë që kundërshtarët e këtij modeli shtetëror që po na imponohet t’i denoncojnë (sidomos para ndërkombëtarëve, natyrisht) si të disponuar armiqësisht, deri egërsisht kundër pakicave kombëtare në Kosovë, e posaçërisht kundër serbëve. Por nuk del kush nga ky varg analistësh e politikanësh të thotë se këto koncepte, të përziera si mos më keq në sistemin tonë politiko-juridik, nuk shkojnë bashkë gjëkundi në demokracitë moderne. Së paku nuk shkojnë bashkë në një sistem të njëjtë politiko-kushtetues, nuk shkojnë bashkë në të njëjtat ligje. Nuk shkojnë bashkë në të njëjtën Kushtetutë. Mund të kemi demokraci qytetare si Franca, por atëherë kemi problem me njohjen e pakicave kombëtare. Franca nuk i njeh pakicat në territorin e vet. E ka nënshkruar Paktin për të Drejta Civile dhe Politike por duke futur në veprim instrumentin e rezervimit për nenin 27, ku parashihet mbrojtja e të drejtave personave që i takojnë pakicave etnike, gjuhësore dhe religjioze, duke pretenduar se ky nen është i paaplikueshëm në Francë sepse aty nuk ka pakica kombëtare. Për më tepër, nuk e ka nënshkruar Konvenën Kornizë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave të Këshillit të Evropës me të njëjtin arsyetim (të mos e përmendim këtu ironinë se nga vendet e reja që aplikojnë për në BE nënshkrimi dhe ratifikimi i këtij dokumenti është i domosdoshëm, përderisa përveç Francës, e cila as nuk e ka nënshkruar e as ratifikuar, nga vendet më të vjetra të BE-së, as Belgjika, Luksemburgu dhe Greqia nuk e kanë ratifikuar këtë dokument). Modeli i demokracisë qytetare franceze gjuhë zyrtare e njeh vetëm gjuhën frënge. Duke mos i përmendur këtu pasojat e kolonializimit francez, vlen të rikujtohet se shteti francez, me politikën e vet të demokracisë qytetare, gati se i ka asimiluar të gjitha pakicat e veta kombëtare. Mund të kemi edhe një shtet multietnik (dyetnik), si Belgjika, me rreth 58% flamanë dhe 40% valonë (e një përqindje e vogël gjermanësh), por është vështirë të kuptohet arsyeshmëria e ekzistencës së multietnicitetit si koncept politik dhe juridik në Kosovë (si koncept kulturor e etnik të gjitha hapësirat moderne në botë janë multietnike e multikulturore), ku shqiptarët përbëjnë mbi 90% të shumicës dërrmuese të popullsisë.
  1. Po thonë se duhet të jemi krenarë se jemi model i vendit me demokraci qytetare! E po harrojnë të thonë se si po instalohet kjo farë “demokracie”. A po instalohet si vullnet i këtij populli (nëse doni: i këtyre qytetarëve), apo është vullnet i imponuar politik nga lart?! A po pyet në këtë vend kush për procedurat demokratike, aq të rëndësishme për vetë konceptin dhe frymën e demokracisë? A po pyet kush në këtë vend se si po miratohen ligjet? A po diskuton kush se a po debatohen këto ligje në publik (në fazën kur ato janë projektligje)? A po pyet kush se a po kanë kohë së paku deputetët t’i lexojnë ato? Ndonjëherë po e pyes veten: a thua e dinë deputetët se çka po ndodh në këtë vend në emër të tyre? Cila është përgjegjësia e tyre për këtë situatë në të cilën e kanë katandisur edhe ata veten? Po gazetarët, e lexojnë vallë ata ndonjë projekt-ligj në këtë vend? Ua dërgon ndonjëherë kuvendi atyre këto projektligje para se të miratohen? A kanë faj mediat dhe gazetarët tanë për këtë situatë dhe a po e kryejnë funksionin e monitorimit të pushtetit në fushën e vendimmarrjes? Nuk ka dyshim se ky model i imponuar i funksionimit të shtetit të Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë qytetare, në të cilën demokraci propagandohet se qytetari është strumbullar i sistemit politik, është shpirti i kushtetutës së vendit. Në një demokraci qytetare, qytetari do të duhej pyetur së paku pak, e formalisht për tërë këto procese. Dhe injoro fare problemet kombëtare që ka Kosova, injoro pallavrat e debatet e kota mbi demokracinë qytetare e konceptin etnik për ndërtimin e shtetit. Në këtë vend është në rrezik vetë demokracia. Ajo është e rrezikuar në periudhën kur po i vendosen themelet një ngrehine aq të brishtë që po quhet Republika e Kosovës. Qytetarët e Kosovës përveçqë janë de-sovranizuar me aktet juridike dhe politike më të larta të vendit dhe askush nuk i pyet se çka duan, si e duan dhe ku duan të shkojnë, tani ata duhet të frikësohen edhe për modelin e “demokracisë” që po u serviret.
  1. Në betejën për Ditën e Flamurit ishte hera e parë që Kuvendi tregoi dhëmbët. Sado të brishtë, ai u mundua t’i shtrëngojë ata. Ishte një kthjellje e momentit, por që tregoi shumë. Tregoi mundësitë që i ka Kuvendi si përfaqësues i interesave të popullit (apo të qytetarëve) për t’i mbrojtur ato interesa. Tregoi se mund t’i thotë JO! komoditetit të qeverisë, tregoi se mund t’iu thotë JO! për disa ditë edhe miqve ndërkombëtarë dhe tregoi se mund ta mobilizojë, por edhe ta shfrytëzojë mirë përkrahjen e opinionit publik. Por ai e tregoi njëkohësisht dobësinë e tij kur shkëputet nga populli, me të cilin në krahë do t’i trondiste themelet e kësaj ngrehine politike që po ngrihet e që është e frikshme për demokracinë. Ai njëkohësisht dëshmoi se ende i duhet të kthjellet e ta kuptojë se vetëm me luftën që do të duhej bërë tërë konceptit dhe zgjidhjes politike të imponuar për Kosovën, përmes Pakos së Ahtisaarit, do të mund të fitohej beteja e Festës së Flamurit. Kuvendi dëshmoi se mund të luftohet e të qëndrohet në këtë vend. Por për ta fituar betejën politike, duhet kuptuar thelbi i luftës politike. Kuvendi duhet t’i forcojë dhëmbët e ta mbrojë këtë vend nga pseudodemokracia. Për nga natyra ai është i obliguar ta ndërtojë demokracinë e vërtetë, të përfaqësojë në mënyrë të denjë interesat jetike të qytetarëve. Por për ta bërë këtë, duhet të reflektojë mbi veprimet e veta të deritanishme. Duhet të bëhet imun nga lloj-lloj ndërhyrjesh e presionesh nga jashtë. Duhet të bëhet një me qytetarin dhe popullin në këtë luftë politike (sepse logjikisht, atij do t’i duhet t’i përgjigjet në fund), dhe duhet çrrënjosur modelin pseudodemokratik që ka ndihmuar edhe vetë të instalohet në Kosovën tonë të dashur.

1.6.2008

Prishtinë