×

​Çfarë duhet t’i thotë Sali Berisha Boris Tadiqit në Tiranë?

27.12.2009 · Valon Murati



1. Kur ministri i ri i punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta deklaroi se një ndër prioritetet e ministrisë që ai drejton do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë (i pari prioritet është puna për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera), personalisht nuk arrita ta kuptoj arsyen e vërtetë të këtij prioriteti. Njësoj nuk po e kuptoj tani arsyen e vërtetë prapa ftesës që kryeministri shqiptar Sali Berisha i ka bërë për vizitë në Tiranë kryetarit të Republikës së Serbisë, Boris Tadiqit. Sidoqoftë, nuk i takoj asaj kategorie njerëzish që mendojnë se me kundërshtarin (apo edhe armikun) politik, në këtë rast Serbinë e Boris Tadiqit, nuk duhet pasur kurrfarë kontaktesh e bisedimesh. Nuk mendoj se Shqipëria dhe Serbia nuk duhet të kenë asnjë marrëdhënie politike, ekonomike e kulturore sepse jam i vetëdijshëm se kontaktet e marrëdhëniet në mes të dy shteteve janë mbajtur edhe në kohërat më të vështira, e kështu ndodh edhe sot e kësaj dite edhe me shtetet apo popujt që janë palë ndërluftuese. Pra kontaktet nuk ndërpriten kurrë tërësisht, dhe gjithnjë ka përpjekje (kjo është edhe njerëzore, por edhe si rezultat i interesave edhe të aktorëve të tjerë) për gjetjen e zgjidhjeve paqësore të problemeve në mes të popujve dhe shteteve. Sidoqoftë, në këtë rast, duke mos i ditur shkaqet e vërteta të kësaj politike të shtetit shqiptar na mbetet vetëm të flasim me hamendje. Ajo që mund të na shkojë në mend është përpjekja e Shqipërisë për t’u shitur si e moderuar në rajon, në mënyrë që kështu të marrë pikë shtesë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të procesit të integrimit evropian të vendit. Sidoqoftë, vetë anëtarësimi në NATO, pa pasur nevojë që përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë të jetë prioritet, por me kryerjen e detyrave të shtëpisë, tregon se kjo nuk ka qenë pengesë për shtetin shqiptar në ritmin e integrimeve evropiane dhe të liberalizimit të vizave. Shteti shqiptar, i tërë lidershipi në pozitë e opozitë, duhet të reflektojë për mënyrën sesi e kanë qeverisur vendin, për realizimin e detyrave të kërkuara nga BE-ja, e jo të përpiqet që t’i hedhë hi syve BE-së përmes marrjes së rolit të të moderuarit. Vetë Serbia është shembulli i kundërt. Serbia për asnjë moment nuk e ka moderuar politikën e vet, posaçërisht jo në raport me Kosovën dhe shqiptarët; ajo vazhdimisht e ka luajtur lojën e dyfishtë në mes të BE-së dhe Rusisë, por në anën tjetër, krahas shfrytëzimit të këtyre shantazheve politike, ajo i ka kryer disa nga detyrat e kërkuara nga BE-ja shumë më mirë dhe më përpara sesa shteti shqiptar, posaçërisht në raport me liberalizimin e vizave.

2. Po kush janë Tadiqi dhe Serbia e tij me të cilën shteti shqiptar po dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet? Deri më tani politika e tij, sidomos ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti, nuk ka dhënë shenja të ndryshimit. Normalisht, në raport me paraardhësit e tij, politika e tij është më dinake. Duke i shpallur integrimin evropian të Serbisë dhe luftën politike kundër pavarësisë së Kosovës dy prioritete të politikës së tij, ai është munduar t’i integrojë në politikën e tij të gjithë krahët e politikës serbe. Ai është munduar t’i ndajë këto dy prioritete dhe deri më tani në raport me BE-në kjo politikë i ka ecur, sepse vetë BE-ja, e përçarë rreth pavarësisë së Kosovës siç është, me duar hapur e ka pritur kthesën e Serbisë drejt BE-së. Por në anën tjetër, deri më tani, i “moderuari” Tadiq nuk ka lënë gur pa lëvizur kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe këto veprime ai i ka bërë në dy drejtime: në atë të brendshmin dhe në atë të jashtmin. Brenda Kosovës Serbia ka vazhduar t’i mbajë strukturat paralele në shumë sektorë, duke e sfiduar sovranitetin e Kosovës jo vetëm në veri të vendit, por edhe në enklavat serbe në Kosovë. Në anën tjetër, në planin ndërkombëtar përveç një lobimi të fuqishëm kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ajo e inicioi procedurën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagë për ta shprehur kjo gjykatë opinionin e vet mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo procedurë që është në vazhdim e sipër ka ndikuar deri më tani në ngadalësimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. E të mos flasim për obstruksionet e vazhdueshme që Serbia i bën në raport me pjesëmarrjen e Kosovës në forumet e ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale. Për shkak të kësaj situate, Qeveria e Kosovës në shumë nga këto takime ende merr pjesë nën siglën “Kosovo Under R1244”. As në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Tadiqi dhe Serbia e tij nuk kanë dëshmuar ndonjë dallim nga paraardhësit. Sa herë iu është nevojitur, në këtë pjesë shqiptare që ata drejtpërdrejt e sundojnë i janë kthyer politikës së terrorit dhe të dhunës brutale, të vrasjeve e të arrestimeve, të shantazheve dhe të proceseve gjyqësore politike. Ky është Tadiqi dhe kjo është CV-ja e shkurtër e Serbisë së Tadiqit, me të cilin shteti shqiptar po synon t’i përmirësojë marrëdhëniet. Të mos harrojmë se ministri i jashtëm shqiptar si prioritet të parë të politikës së jashtme shqiptare e vendosi lobimin për njohjen e Kosovës, përderisa prioritet pasues atë të përmirësimit të marrëdhënieve me shtetin që ditë e natë jo vetëm punon kundër njohjeve të reja, por edhe për shkatërrimin e këtij shteti. Sesi pajtohen këto dy prioritete, të paktën për mua përgjigja është e paqartë. A thua ka menduar kush, se përse nuk janë të mira këto marrëdhënie?

3. Sidoqoftë, Tadiqi në Tiranë mund të ftohet për t’i treguar se cila është rruga e përmirësimit të marrëdhënieve me Republikën e Shqipërisë dhe me shqiptarët në përgjithësi. Tadiqit duhet t’i tregohet se paqja dhe stabiliteti në Ballkan në mes të tjerave mund të betonohet po të zgjidhet drejt kontesti shqiptaro-serb. Atij duhet t’i tregohet se kjo rrugë nuk është e lehtë, por gati se është pa alternativë për të mirën e të dy popujve tanë. Atij i duhet thënë se ai mund të jetë bartës i këtij procesi historik nga ana e serbëve dhe Serbisë, për çka të dy popujt do t’i ishin mirënjohës. Por ai edhe mund të vazhdojë me politikën e vjetër shoviniste serbe të paketuar me modernizëm për t’u shitur më mirë në tregun e përbashkët evropian, të cilën rrugë të dy popujt do ta dënojnë një ditë si të gabuar dhe si shoviniste. Përfundimisht Tadiqit i duhet thënë se për t’i përmirësuar marrëdhëniet me shqiptarët, dhe jo vetëm aq, por për ta futur rajonin në një të ardhme me paqe, siguri, zhvillim ekonomik, e pse jo edhe një integrim më të fuqishëm të brendshëm ballkanik, Serbia duhet të heqë

dorë përfundimisht nga Kosova dhe nga obstruksionet e vazhdueshme që Serbia ia bën asaj dhe ta njohë vullnetin politik të popullit shqiptar në Kosovë për pavarësi. Por njëkohësisht atij i duhet thënë se shteti shqiptar me shqetësim i analizon si zhvillimet në tri komunat serbe në veri të Kosovës, ashtu edhe në tri komunat shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Tadiqit i duhet thënë se për shkak të situatës së njëjtë: sikundër në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë dhe kanë lidhje territoriale me Serbinë, andaj nuk mund të trajtohen si pakicë kombëtare, por si pjesë e pashkëputur e kombit serb, ashtu edhe në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë lidhje territoriale me Kosovën, prandaj nuk mund të konsiderohen pakicë kombëtare (e as të drejtat e tyre të zgjidhen përmes Ligjit Mbi Këshillat Kombëtare të pakicave...), por si pjesë e pashkëputur e kombit shqiptar, - për shkak të situatës së njëjtë këto dy çështje duhet të zgjidhen me të njëjtin parim. Parimi fillestar - i duhet thënë Tadiqit - është reciprociteti në të drejta kurse parimi përfundimtar (pas krijimit të kushteve dhe shtensionimit të situatës) duhet të jetë ai i vetëvendosjes për të dy popujt deri në shkëputje. Tadiqit i duhet thënë edhe se shteti shqiptar i kupton shqetësimet për pakicën serbe në Kosovë, por se ai do të insistojë që të drejtat e serbëve në pjesën e brendshme të Kosovës të zgjidhen bazuar në standardet më të larta dhe më të avancuara të të drejtave të pakicave kombëtare evropiane dhe botërore. Andaj, nuk ka dyshim se ka rrugë për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy popujve. Ka edhe çka t’i thuhet Tadiqit në Tiranë. Veçse duhet ditur çka. Ndërsa nëse ky takim do t’i shërbente reklamës dhe formës e jo përmbajtjes, jo që nuk do të ketë përmirësim të marrëdhënieve, por edhe BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë këtë takim të tillë çfarë do të ishte në të vërtetë: një blof i të dy palëve.

Prishtinë, 27. 12. 2009