Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në konsultim me Qeverinë e Kosovës ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës miratimin e tarifave të policave kufitare me Serbinë, të cilat do të jenë me çmim reciprok me ato të Serbisë.
Në bazë të këtij vendimi, automjetet që hyjnë në Kosovë për 15 ditë do të paguajnë policë kufitare 60 euro, kamionët 145, minibusët 120, automjetet speciale 35 euro, automjetet tërheqëse 15 euro, motoçikletat 15 euro, rimorkiot 15 euro dhe automjetet e punës 50 euro. Ndërsa nëse paguhen për një vit, për automjete shuma është 603 euro, ndërsa për kamionë dhe autobusë 1650 euro.
Kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës e dëmton rëndë interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës Lindore, respektivisht qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës; kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës ndikon shumë keq në raportet dhe në komunikimin në mes të shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës Lindore; kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës tregon edhe një herë se kjo qeveri e ngatërron, nuk e di apo nuk dëshiron ta dijë se ka interesa shtetërore, por ka edhe interesa kombëtare, të cilat shpesh nuk përputhen ndërmjet veti.
Lëvizja për Bashkim kërkon nga qeveria e Kosovës që nga kjo masë të lirohen qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të cilët kalojnë nëpër pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ashtu siç ka bërë shteti serb me përjashtimin e pikat kufitare të veriut të Kosovës nga po e njëjta masë.
LËVIZJA PËR BASHKIM
Prishtinë,
24.12.2011