06.08.2008 · Valon Murati
Situata politike në Kosovë është e mbërthyer nga kontradikta të thella që e rëndojnë pa masë jetën e qytetarëve të saj. Këto kontradikta vërehen në të gjitha poret e jetës shoqërore dhe politike. Ato vijnë duke u komplikuar si pasojë e veprimit të një varg faktorësh politik, e mbi të gjitha të bashkësisë ndërkombëtare, autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. E keqja e veprimeve të autoriteteve të Kosovës është se ato janë në të shumtën e rasteve të papërgjegjshme në raport me interesat e qytetarëve dhe të vendit. Për më tepër ato në shumë raste nuk veprojnë atëherë kur është më se e nevojshme. Me këtë qasje ato nuk bëhen pjesë e zgjidhjes së këtyre kontradiktave dhe problemeve, por ndihmojnë në thellimin e tyre.
Kështu, në njërën anë kemi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe shkëputjen e saj edhe juridike nga Serbia, e përcjell kjo me një njohje ndërkombëtare nga ana e shumë shteteve të fuqishme, si një hap pozitiv, por në anën tjetër e kemi përmbajtjen e kësaj pavarësie, me Pakon e Ahtisarit brenda, dhe me kushtëzimet, kufizimet e mbikëqyrjet e shumta, të cilat zhvlerësojnë shumëçka nga përmbajtja e kësaj pavarësie.
Në njërën anë e kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në të cilën, në nenin e parë, Kosova përcaktohet si shtet i pavarur, sovran e demokratik. Por në të njëjtin nen, në paragrafët vijues, dhe në shumë nene të tjera vijuese, sidomos në ato që kanë të bëjnë me implementimin e Planit të Ahtisarit, shumëçka nga ky sovranitet, por edhe demokraci tretet e shkrihet gradualisht.
Në njërën anë thuhet se kemi shpallur shtet qytetar, ku nuk ka ndarje etnike në sistemin tonë kushtetues, e në anën tjetër e vërteta e vrazhdë e dokumenteve politike e juridike me të cilat është e rregulluar jeta në Kosovë, e bëjnë Kosovën një vend krejtësisht të ndarë në baza etnike. E kjo sidomos vlen kur kemi të bëjmë me serbët e Kosovës. Për më tepër ky koncepti i “shtetit qytetar”, apo “shtetit të komuniteteve”, është maskë, për të vazhduar përpjekjet për ndërrimin e identitetit të shqiptarëve të Kosovës dhe shndërrimin e tyre në një komb të ri - kosovar, që në të vërtetë do të përbëhej vetëm nga shqiptarët e Kosovës dhe jo edhe nga pakicat e tjera që jetojnë në Kosovë. Pas shpalljes së flamurit të ri të Kosovës, pas heqjes së 28 Nëntorit si datë zyrtare e Flamurit Shqiptar, koncepti i “shtetit qytetar” që do të vlente vetëm për shqiptarët e Kosovës është një përpjekje tjetër (e heshtur) për shkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës.
Në njërën anë kemi betimet e përbetimet e udhëheqësve të institucioneve kosovare se kjo kushtetutë dhe pushteti i shtetit të ri do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, e në anën tjetër e kemi situatën konkrete në pjesët që banohen nga serbët. Jo vetëm në veriun e Kosovës, ku serbët jetojnë tërësisht të pavarur nga shteti i Kosovës dhe institucionet e tij dhe janë të lidhur drejtpërdrejt me Serbinë, por shteti i Kosovës nuk e ka shtrirë pushtetin e tij, as në pjesën e brendshme të Kosovës, në vendbanimet e banuar nga pakica serbe.
Në njërën anë e kemi një njohje jo të parëndësishme nga ana e një numri shtetesh të rëndësishme të pavarësisë së Kosovës, por në anën tjetër kemi një bllokadë të kësaj pavarësie të Kosovës nga ana e Rusisë, bllokadë që ka bërë të pamundur për momentin inkuadrimin e Kosovës në OKB. Gjithashtu, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e një numri të shteteve të BE-së e ka komplikuar më tej procesin e integrimit të vendit në strukturat e BE-së. Ndërsa inkuadrimi i Kosovës në organizmat regjional si Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja, është i pamundur pa njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë, sepse në këto mekanizma kërkohet pajtimi i të gjithë anëtarëve për pranimin e një anëtari të ri.
Në njërën anë deri vonë kishim përbetimet nga ana e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sidomos nga ana e BE-së se misionet e parapara të vendosen në Kosovë si PNC-ICO dhe EULEX do të kenë rolin primar në mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës dhe se roli i UNMIK-ut do të jetë dytësor, e në anën tjetër të njëjtat kanë filluar negociatat me UNMIK-un sesi ato do të funksionojnë në raport me UNMIK-un dhe madje edhe në kuadër të tij. Përderisa është në fuqi Rezoluta 1244, nuk ka bazë juridike për ta zëvendësuar UNMIK-un me misionet e parashikuara sipas Pakos. Për momentin janë duke u bërë përpjekje për një koordinim të këtyre mekanizmave ndërkombëtar, përpjekje që po shfrytëzohet nga ana e Serbisë për të forcuar kontrollin në zonat e banuara me serbë, e në veçanti në veriun e Kosovës. Qeveria e Kosovës, në këtë periudhë ka treguar një indolencë të madhe në gjykimet dhe veprime politike, duke mos shfrytëzuar rastin të fuqizojë pushtetin e saj, në mungesë të një administrate të fuqishme ndërkombëtare në Kosovë. Kjo situatë ka dobësuar edhe më sovranitetin e Kosovës në dobi të Serbisë.
Në njërën anë kishim deklarimet e UNMIK-ut se ai do të ketë vetëm rol mbikëqyrës dhe rol të zvogëluar në raport me të kaluarën, në anën tjetër ditëve të fundit shefi i UNMIK-ut, duke pohuar për herë të parë prej se e mori detyrën se ai është shefi i madh në Kosovë përderisa është në fuqi Rezoluta 11244, doli me propozime që rëndë cenojnë edhe atë që mbetet nga sovraniteti i Kosovës. Organizimi autonom i policisë dhe i gjyqësisë për serbët e Kosovës dhe heqja e doganave nga veriu i Kosovës, të cilat ai i propozoi, e fuqizojnë ndarjen territoriale të Kosovës dhe ndarjen etnike përbrenda vetë institucioneve të Kosovës.
Në njërën anë kemi liri më të mëdha individuale dhe mundësi më të mëdha në shumë fusha të jetës se në të kaluarën, por në anën tjetër kemi një rritje të varfërisë ekonomike, ngecje ekonomike, rënie të arsimit, kulturës, shëndetësisë etj. Kjo situatë e rëndë socio-ekonomike, e ndikuar edhe nga dështimet e vazhdueshme të politikës kosovare, ka prodhuar një krizë morale dhe rënie e vlerave në të gjitha fushat e shoqërisë sonë. Papërgjegjshmëria e qeveritarëve tanë ndaj publikut dhe qytetarëve, duke shfrytëzuar këtë amulli shoqërore, është duke e rënduar edhe më këtë krizë në shoqërinë tonë.
Kështu që këto kontradikta janë shndërruar në thembër Akili për ecjen para të Kosovës dhe popullit të saj. Indiferenca e kastës politike të Kosovës ndaj këtyre problemeve, qoftë për shkak të indolencës, qoftë për shkak të paaftësisë apo për shkak të përfitimeve personale do të prodhojë kriza edhe më të thella në Kosovë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta lejojnë një gjë të tille.