1. Krijuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (të njohur si baballarët e kombit amerikan) si dhe pasuesit e tyre krenohen se në fund të shekullit të XVIII-të e kanë krijuar një shtet mbi principet e luftës kundër absolutizmit, të lirive politike dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të u krijuan në periudhën kur politika ndikohej nga parimet iluministe, nga republikanizmi nga dhe liberalizmi politik që e shtroi rrugën për t’i shndërruar të drejtat e njeriut në një moto politike. Ishte kjo periudha që rezultoi me Revolucionin Amerikan (1776) dhe, mbi të gjitha, me Revolucionin Borgjez Francez (1789), që e shtruan rrugën për t’i dhënë fund epokës feudale dhe ua hapën rrugën marrëdhënieve kapitaliste në ekonomi dhe, si rrjedhim - demokracisë liberale, si zgjatim politik i këtyre marrëdhënieve në ekonomi. Sidoqoftë, as në SHBA dhe as në Francë kjo demokraci, të drejtat e njeriut dhe liritë politike nuk ishin gjithëpërfshirëse. Ashtu si në demokracinë e Athinës, që ende merret si modeli teorik më i mirë i saj, demokracia ishte selektive: ishte demokraci e pakicës. Në atë ‘demokraci’ edhe për një kohë nuk do të ketë vend për të varfrit, për gratë, e të mos flasim për skllevërit. Ndonëse këto marrëdhënie të reja shoqërore e kanë shtruar rrugën për eliminimin e skllavërisë dhe për barazinë racore, do të duhen përpjekje, luftëra, konflikte politike, revolucione, për t’i eliminuar ato nga sistemi juridik (e jo edhe nga mendësia politike dhe vetëdija shoqërore). Për ta zhdukur skllavërinë, SHBA-ve do t’iu duhet një luftë e ashpër civile (1861-1865), e cila për pak sa nuk e ndau në dysh vendin. E më pas në vitet 50’ dhe 60’ të shekullit të kaluar do t’i duhet të kalojë edhe nëpër një lëvizje të brendshme e të fuqishme politike të njohur si Lëvizja për të drejtat civile dhe të udhëhequr nga lideri zezak Martin Luter King, e cila kishte për qëllim që të gjithë qytetarët e SHBA-ve t’i bëjë të barabartë para ligjit, pa marrë parasysh prejardhjen racore. Pa dyshim, Lëvizja për të drejta civile në SHBA ishte kurorëzim i një beteje të gjatë për të drejta të barabarta para ligjit të të gjithë qytetarëve amerikanë dhe fundi i diskriminimit racor në sistemin juridik amerikan.
2. Përkundër këtyre fitoreve, ndarja raciale ende mbeste një faktor i fuqishëm në politikën dhe jetën shoqërore amerikane. Në këtë kuadër fitorja e Barack Obamës në betejën për kryetar të SHBA-ve është një moment kthese në politikën e brendshme amerikane. Ajo mund të thuhet se shënon atë që shumë komentues amerikanë e kanë thënë pas fitores së Obamës si ‘fundin e luftës civile amerikane’. Që nga fillimi i fushatës elektorale brenda partive përkatëse, atëherë kur Hillary Clinton paraqitej nga media amerikane si e pamposhtshme, jo vetëm në kampin demokrat, por edhe në ndeshjet me republikanët për kryetar, Obama iu qas krejt ndryshe fushatës zgjedhore. Larg ndjenjës së inferioritetit, larg diskursit të viktimës që politikanët zezakë e kanë pasur në jetën politike amerikane, diskurs ky i përzier pastaj natyrisht edhe me një agresivitet e frustrim racor në anën tjetër, Obama i është qasur fushatës si i barabartë. Çështjet racore nuk i ka pasur në fokus të fushatës, por vetë kandidimi i tij i ka dhënë debatit për racën një ngjyrim dhe zjarr tjetër. Me vetë fushatën e tij - për herë të parë - i ka bërë zezakët amerikanë të ndihen të barabartë në shoqërinë amerikane. Dhe kjo taktikë e tij, e përcjellë edhe me rrethana të tjera të favorshme (antipatia në rritje ndaj politikave të administratës së Bushit dhe, mbi të gjitha, kriza ekonomike), e bënë që, duke e ndier veten të barabartë ndër të barabartët, edhe t’i fitojë zgjedhjet.
3. Kjo fitore në vetvete është një revolucion, ndonëse vetë Obama dhe politikat e tij nuk do të kenë karakter revolucionar. Pse? Kjo fitore është revolucionare sepse e shënon fitoren përfundimtare mbi ndarjen raciale në një shoqëri që jo vetëm është e ndarë thellë në baza racore, e përcjellë kjo edhe me paragjykime të shumta, por e cila vetëm para dyzet vjetësh ka pasur ende ligje raciste. Është revolucionare sepse po frymëzon dhe do të frymëzojë ndryshime në shoqëritë e ndara raciale, duke përfshirë edhe shoqërinë amerikane. Është revolucionare sepse në shoqërinë amerikane, për herë të parë, raca nuk ishte faktor vendimtar për fitoren e kandidatit presidencial, por politikat e tij dhe shpresa që ngjallën ato. Kjo fitore do t’i frymëzojë të diskriminuarit për të luftuar për të drejtat e tyre. Do të jetë shembull që do ta ngrejë dinjitetin dhe do t’i frymëzojë njerëzit në kontinentin afrikan për të ndërruar realitete që me shekuj e kanë mbajtur këtë kontinent në shtypje, varfëri e totalitarizëm. Por Obama nuk do të arrijë ta bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor në politikën amerikane, as në atë të brendshmen, as në atë të jashtmen. Është vetë struktura politike dhe ekonomike e shoqërisë amerikane që krijon kufizime në këtë drejtim. Është e qartë se presidenca e Bushit po ia lë një trashëgimi jo për t’u lavdëruar në planin e brendshëm ekonomik, por edhe në atë të jashtmin (lufta në Irak, Afganistan, kriza në Lindjen e Mesme, oponencat e shteteve të ndryshme nga vendet e Amerikës së Jugut, marrëdhëniet me Iranin, si dhe ftohja evropiane nuk mund të konsiderohen si trashëgimi pozitive). Dhe nuk ka dyshim se në këtë kuadër Obama kryesisht do të përqendrohet në trajtimin e krizës financiare (që lehtë mund të shndërrohet në një krizë të madhe ekonomike) dhe në përmirësimin e imazhit të SHBA-ve në botë. Sidoqoftë, në politikën amerikane, më qartë se në politikat e shteteve të tjera, pasqyrohet interesi ekonomik në projektimin e politikave strategjike, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme. Administrata të ndryshme mund ta ndërrojnë qasjen në realizimin e këtyre objektivave, por objektivat vetë nuk ndryshojnë aq lehtë. Thënë më thjesht, interesat amerikane në Lindjen e Mesme do të mbesin të njëjta, pa marrë parasysh se administrata e Obamës, ashtu edhe siç po paralajmërohet, mund ta mbyllë burgun në Guantanamo, ku mbahen - në kundërshtim me të gjitha parimet themelore të të drejtave të njeriut - të dyshuarit për terrorizëm; mund të tërhiqet nga Iraku (këtë hap e ka bërë tashmë administrata e Bushit); apo mund ta nxisë një rund të ri bisedimesh palestinezo-izraelite. As në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe me Kosovën në veçanti politika amerikane me Obamën si president nuk do ta pësojë ndonjë ndryshim thelbësor. Koordinatat e interesave amerikane në regjion janë rishkruar që pas vitit 1990 dhe nuk ka gjasa që ato të ndërrohen në të ardhmen e afërt. Na mbetet ne që t’i përcaktojmë interesat tona më qartë (duke i pasur parasysh edhe interesat amerikane dhe interesat e fuqive të tjera, sidomos BE-se dhe Rusisë) dhe të bëhemi faktor më aktiv në skenën e politikës ballkanike. Si të tillë do të mund të ishim partnerë më seriozë në marrëdhëniet tona me aktorët ndërkombëtarë, e në këtë drejtim edhe me administratën e re amerikane.