09.01.2008 · Avni Klinaku
(PDK-ja nuk do të shpërfytyrohet më. Ajo është shpërfytyruar skajshmërisht dhe si anëtarëve të vet, po ashtu edhe një pjese të opinionit publik ia ka mbytur shpresën “se kjo parti është ndryshe”. Ajo ndryshon p.sh. nga LDK-ja, LDD-ja, AKR-ja, AAK-ja vetëm në tri shkronja).
Që nga formimi i PDK-së, e cila kryesisht doli nga pjesëtarët e UÇK-së së djeshme, e deri te koalicioni i ditëve të sotme me LDK-në kemi një shpërfytyrim të vazhdueshëm e të pandalshëm të kësaj partie. Pjesa më e madhe e anëtarëve të PDK-së dhe një pjesë jo e vogël e opinionit publik që nga formimi i PDK-së kanë shpresuar se kjo parti politike meqë ka dalë si rezultat i shpërbërjes së UÇK-së do të jetë ndryshe nga partitë tjera, se interesin e përgjithshëm kjo parti do ta ketë para interesit personal, se në çështjen kombëtare nuk do të bëjë lëshime, siç do të bënin të tjerët, se do t’i thotë ndal! korrupsionit etj. Madje ajo u quajt vazhdimisht edhe përfaqësuese e “krahut të luftës”. Dalëngadalë, kjo parti i demantoi të gjithë, dhe sidomos me hapin e fundit, me koalicionin me LDK-në, të cilën, në fushatën e fundit, në fushatën më skandaloze deri më tani, e quante përgjegjëse dhe fajtore kryesore për gjendjen e mjerueshme të qytetarit të Kosovës.
Po të shihet nga këndvështrimi i fushatës së fundit (e pse jo edhe të fushatave të tjera të këtyre partive!), ky koalicion duket si i panatyrshëm, por po të shihet në dritën e interesit mbi të cilin mbështeten krerët e këtyre partive e që mund ta përmbledhim me një shprehje të vetme – lakmi e papërmbajtshme për pushtet, ky koalicion e fiton natyrshmërinë e vet. E panatyrshme dhe e pambulesë mbetet vetëm shpresa e atyre që kanë menduar se PDK-ja është ndryshe.
Megjithatë, veprimi më i diskutueshëm, veprimi më skandaloz, veprimi më diskreditues, veprimi më antidemokratik, madje edhe kobndjellës për të gjithë qytetarët e Kosovës është veprimi i fundit i PDK-së – marrëveshja me LDK-në. Pa u thelluar më gjatë në marrëveshjen për koalicion në mes të këtyre dy partive mjafton ta citojmë vetëm paragrafin e fundit të saj ku thuhet: “Partnerët e koalicionit zotohen se nuk do të ketë mocion votëbesimi për presidentin dhe kryeministrin”, për të parë se sa të vendosur janë partnerët e këtij koalicioni për ta mbrojtur njëri-tjetrin nga Parlamenti i Kosovës dhe nga qytetarët e Kosovës.
Shkëputja përfundimtare e PDK-së edhe nga elektorati i vet dhe mbytja e shpresës së fundit se PDK-ja është ndryshe, është pikërisht Marrëveshja PDK-LDK. Thirrjet dhe brohoritjet e militantëve të PDK-së: “Jo me LDK-në!” hasën në vesh të shurdhër. Edhe kjo e dëshmon shkëputjen e madhe ndërmjet kreut të PDK-së dhe militantëve të saj, të cilët shpresuan shumë në sendërtimin e idealeve kombëtare përmes kësaj partie. Me përdhosjen e interesave kombëtare dhe zëvendësimin e tyre me lakminë për pushtet të pjesës më të madhe të kreut të PDK-së, të pakënaqurit duhet ta kërkojnë përfaqësuesin e idealeve të tyre jashtë PDK-së.